1 Dita e Studiuesit

Kemi kënaqësinë të njoftojmë organizimin e aktivitetit vjetor “Dita e Studiuesit” të Departamentit të Teologjisë dhe Kulturës, Kolegji Universitar Logos. Kjo është një festë e kërkimimit, pasi pedagogë, të diplomuar dhe studentë të Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës takohen së bashku dhe prezantojnë publikisht para kolegëve të tyre kërkimin që po zhvillohet aktualisht në Departament.

📍Dita e Kërkuesit 1 (një) do të mbahet në auditorin qendror të Logos së Kolegjit të Universitetit në Tiranë më 21 maj në orën 10:00. Programi dhe folësit do të njoftohen së shpejti.

Jeni të gjithë të mirëpritur të festoni kërkimin me ne!

Abstrakte

PUNIMET E STUDENTËVE DHE TË DIPLOMUARVE

Ikonografia e Onufër Neokastritit në Zonën e Shpatit

MSc. Klajdi Dervishi

Tema që kam zgjedhur për të trajtuar, titullohet “Ikonografia e Onufër Neokastritit në Zonën e Shpatit”. Qëllimi kryesor i këtij punimi shkencor është promovimi, njohja dhe transmetimi i karakteristikave dhe i atyre gjërave që e karakterizojnë Zonën e Shpatit. Kjo temë do të prezantohet në dy dimensione: në dimensionin analizues (historiko-theologjik), ku do të trajtohet historiku i zonës dhe i kishave të ndërthurura me theologjinë orthodhokse, dhe në dimensionin përshkrues, ku do të përshkruhet programi ikonografik i kishave përkatëse. Tema përbëhet nga katër kapituj.

Në kapitullin e parë përshkruhet historiku i zonës së Shpatit, e cila i ka fillesat e saj që nga koha e Konstandinit të Madh, trajtohet fenomeni i kriptokrishterimit dhe përfundon me potencialin dhe me një plan zhvillimi për një turizëm të qëndrueshëm në këtë zonë.

Në kapitullin e dytë trajtohet jeta, vepra dhe stili i ikonografit Onufër, i cili ishte me origjinë nga Neokastra ose ndryshe Elbasani i sotëm dhe ka jetuar në shek. XVI dhe që, në këtë periudhë, e ka ushtruar veprimtarinë e tij në pikturimin e disa kishave, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shquhet për një stil unik, por që është ndikuar edhe nga stili bizantin dhe e ka përsosur teknikën ikonografike kretase.

Në kapitullin e tretë trajtohet kisha e Shën Kollit në Shelcan, ku janë renditur dhe komentuar mbishkrimet apo edhe afresket e shenjtorëve apo të skenave biblike që janë paraqitur në pjesë të ndryshme të kësaj kishe.

Në kapitullin e katërt trajtohet kisha e Shën e Premtes në Valësh, në të cilën, ashtu si edhe në kishën e Shën Kollit, ekzistojnë afreske dhe mbishkrime që kanë ardhur deri në ditët e sotme nga dora e Onufrit dhe përmbyllet me nxjerrjen në pah të dy dogmave kryesore që përcjell ikonografia e kishave.

Fjalë kyç: Ikonografia, Onufër Neokastriti, Kishat e Shpatit, itinerar, mbishkrim.

Rruga e Sikhëve drejt pavarësisë fetare

Kristijan Mishevski

Tema që do të trajtojmë në këtë artikull ka të bëjë me Sikhët. Sikhët janë ndjekës së religjionit Sikhism dhe origjina e tyre është rajoni Panxhab të Indisë. Brenda kësaj teme do flasim për themelimin e tyre, konceptin e udhëheqësit të tyre (Guru-ja), renditja e Guru-ve, luftrat me Britanikët dhe mënyra e sjelljes së tyre nën pushtimin europian.

Në fund do të përmendet përhapja e tyre nëpër gjithë botën dhe mbijetimi i tyre deri më sot. Gjithashtu do të përshkruajmë disa nga simbolet e tyre dhe do të përmendim fakte interesante që kanë të bëjnë me lidhjen e të kaluarës dhe atë të sotmen.

Fjalë kyçe: Sikhism, sikh, kaur, guru, adi, lufta Britano-indiane

Tradita e Jetës Murgjërore Orthodhokse në Shqipëri

Çenkuela Selenica

Tema që kam përzgjedhur për të trajtuar, titullohet “Tradita  e Jetës Murgjërore Orthodhokse në Shqipëri”. Qëllimi kryesor i këtij punimi shkencor është  që të bëj të njohur aq sa të na lejojnë të dhënat kultivimin e jetës murgjërore përgjatë shekujve kristianë në hapesirën e Shqipërisë së sotme. Tema do të paraqesë qëllimin dhe rëndësinë e monasticizimit, do të njoh lexuesit nga afër me murgjërinë dhe manastiret.

 Metodologjia e përdorur në këtë punim është përshkruese dhe analizuese. Gjithashtu është  përdorur analiza teologjike duke shfrytëzuar bibliografi relevante, të dhënat e së cilës vihen në funksion të kësaj metodologjie.

Tema përbëhet nga katër kapituj. Në kapitullin e parë trajtohet koncepti i monasticizmit, fillimet e jetës murgjërore në botë dhe në vendin tonë. Murgjëria e paorganizuar dhe më vonë ajo e organizuar.

Në kapitullin e dytë përshkruhen dhe jepen të dhëna kryesore për disa manastire orthodhokse. Trajtohet dimensioni arkitekturor, ikonografik dhe metafizik i manastireve.

Në kapitullin e tretë trajtohen funksionet e manastireve në periudhën pasbizantine, por jo vetëm. Përmenden murgjër dhe personalitete të cilët kanë jetuar dhe punuar në manastire, gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Në kapitullin e katërt trajtohen elementë të jetës shpirtërore dhe shoqërore të manastireve. Përshkruhen disa panaire që zhvilloheshin pranë manastireve. Gjithashtu flitet për veprimtarinë e KOASH-it në restaurimin e manastireve në vendin tonë.

Fjalë kyç: Shpella Eremite, Monasticizëm, Rrënoja, Dimension Metafizik, Panair, Esnaf.

Lutja, jeta e shpirtit

Anila Baba

Tema synon të shpjegojë kuptimin e lutjes, si ushtrimi dhe puna më i rëndësishme dhe shumë thelbësorë në jetën e njeriut, jo vetëm në atë shpirtërore por edhe në përditshmërinë e tij në raporte me veten, te tjerët dhe çdo gjë që e rrethon.  Domosdoshmëria e aktivitetit të lutjes shpjegohet në bazë të Shkrimit të shenjtë dhe mësimeve të shenjtorëve të Kishës sonë përgjatë shekujve.

Jo vetëm aktivitet thelbësor, por lutja është jeta e shpirtit dhe aktiviteti që gjallëron çdo aktivitet tjetër të njeriut, e mbi të gjitha e bashkon me Krijuesin në mënyrë mistike. Në mënyrë praktike do të jepen udhëzime për nivelet e lutjes të cilat e përgatitin njeriun që nga hapi i parë kur thjesht themi lutje, tek i dyti kur themi e mendojmë fjalët e lutjes tek niveli më i lartë ku trupi, mendja e zemra bashkohen në lutje. Ky nivel arrin qëllimin e kërkuar të bashkimit të njeriut me Zotin, d.m.th. jetën e shpirtit dhe përmbushjen e qenies njerëzore, sepse njeriu nuk është tjesht “Homo sapiens“, “homo Faber“… po, para së gjithash, “homo adorans”.

Fjalë kyç: Lutja, jeta, homo adorans

Familja e Krishterë Orthodhokse dhe rritja e fëmijëve

Jonilda Stojko

Punimi hulumton aspektet e jetës familjare brenda traditës së Krishterë Orthodhokse, duke i vënë një theks të veçantë rolit dhe rëndësisë së familjes, si “kisha e vogël”. I ndarë në pesë seksione, punimi shpalos rëndësinë themelore të familjes, njësisë më të vogël të shoqërisë.

Ai thellohet në ndikimin që marim nga studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe jetëve të Shenjtorëve, për të ndërtuar një martesë dhe një familje të shëndetshme ku mbizotëron dashuria dhe lidhja e ngushtë me Perëndinë.  Strategjitë për rritjen e fëmijëve dhe proçesi i rritjes së fëmijëve drejt Mbretërisë së Perëndisë analizohen në punim, si edhe familja “punishtja që rrit shenjorë”. Theksohet përfshirja aktive e fëmijëve brenda komunitetit më të madh të Kishës, gjithashtu mësimet e vyera të Kishës Orthodhokse që nxitin për një jetë familjare bashkëkohore të rrënjosur thellë në Krishtin dhe Kishën e Tij të Shenjtë.

Fjalë kyç: Familja, Edukatë e krishterë

PUNIMET E LEKTORËVE

Disa aspekte sociale dhe etike mbi varfërinë në shoqërinë shqiptare

MSc. Thoma Çomëni

Varfëria është një nga fenomenet më të mprehta sociale në shoqërinë shqiptare, që ka shkaqet dhe pasojat e saj. Pas një hyrje mbi konceptin e varfërisë, bëhet një prezantim i situatës së varfërisë në shoqërinë shqiptare. Më pas bëhen analiza mbi shkaqet dhe pasojat e fenomenit të varfërisë duke aplikuar një qasje sociale dhe etike. U përdorën materiale kërkimore, kryesisht nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, si dhe studime të autorëve të tjerë, të cilët trajtuan drejtpërdrejt problemin e varfërisë në shoqëri. Studiues të ndryshëm që janë marrë me fenomenin e varfërisë në një këndvështrim të përgjithshëm nuk mbeten jashtë vëmendjes. Bibliografia e shtrirë në kohë, veçanërisht në këto 30 vitet e fundit, sjell këndvështrime dhe qëndrime të ndryshme për varfërinë, por që përkojnë në faktin se varfëria është vazhdimisht në nivele të larta në shoqërinë shqiptare.

Nga analiza e burimeve rezulton se varfëria në shoqërinë shqiptare është një fenomen social, i cili përveç dimensionit ekonomik, material dhe financiar, ka edhe një dimension social dhe mbi të gjitha shpirtëror. Dhe ky konstatim bazohet në faktin se si shihet dhe çfarë zgjidhjesh jepen për tejkalimin e varfërisë. Investimet apo kontributi i një niveli të ulët nga ana e shtetit për tejkalimin e varfërisë nga njëra anë dhe iniciativat jo qeveritare, individuale apo të organizuara, nga ana tjetër, me ndihma dhe vakte ushqimore dhe jo vetëm, nxjerrin në pah qëndrimin ndaj varfërisë. Investimet e pakta në arsim, trajnim dhe formim profesional, investime ekonomike që nuk përkthehen në vende pune duke i dhënë hapësirë papunësisë, tendenca në rritje për emigracionin dhe emigracionin, varësia nga bamirësia dhe lëmosha, janë disa elementë që e bëjnë të qartë fenomenin dhe përballjen me të. Lufta kundër varfërisë në shoqërinë shqiptare duhet të bazohet në të drejtën ligjore dhe mbi të gjitha të drejtën dhe mundësinë për të jetuar me dinjitet dhe kjo është drejtësi shoqërore dhe shpirtërore. Korrupsioni në nivele të larta dhe paragjykimi social për varfërinë bëhen pengesa kryesore për të luftuar varfërinë. Kështu, arrihet në konkluzionin se varfëria luftohet me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve shoqërorë, pasi që varfëria në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prek të gjithë shoqërinë.

Fjalë kyçe: Varfëria, drejtësia sociale, shoqëria shqiptare, zhvillimi social, zhvillimi shpirtëror, zhvillimi ekonomik

Lipsanologjia në Shqipëri

Dr. Thoma Shkira

Punimi ka si qëllim të paraqesë lipsanologjinë e shenjtorëve të krishterë në Shqipëri duke përfshirë rastet e lipsaneve të shenjtorëve të cilat pothuajse janë ruajtur të plota dhe lidhen me shenjtorë që kanë zhvilluar aktivitet apostolik dhe kryesisht janë martirizuar në vendin tonë.

Në të shqyrtohet historiku i lipsaneve të shenjtorëve përgjatë periudhave të ndryshme historike dhe kishtare të vendit tonë, ruajtja dhe nderimi i tyre në kisha dhe manastire të njohura, gjendja e tyre e rrezikut apo e shpetimit gjatë valës ateiste të vitit 1967, vit ku u ndaluan besimi dhe praktikat fetare.  

Gjithashtu, punimi synon të nxjerrë në pah vlerën e tyre shpirtërore, dhe rëndësinë e tyre si objekte ku populli besimtar realizoi dhe realizon mbledhje kremtuese dhe panaire fetare dhe tregtare në nderim të tyre. Vitet e fundit në Shqipëri, ndaj lipsaneve të shenjta kthejnë vëmendjen dhe tërheqin shumë vizitorë dhe turistë vendas dhe të huaj aq sa lipsanet, konsiderohen tashmë edhe ndër objektet kryesore të turizmit religjioz.

Në këtë punim përdoret metodologjia historiko – teologjike nëpërmjet hulumtimit të bibliografisë përkatëse.

Fjalë kyç: Historiku i lipsaneve në Shqipëri, nderimi i shenjtorëve (kulti), panair,  komunizëm, turizëm religjioz, Shqipëri

Duke jetuar së bashku në një botë pluraliste. Shfaqja e rëndësisë së dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor nëpërmjet predikimit dhe edukimit në Kishën Orthodhokse

Dr. Nikolaos Tsirevelos & MSc. Blerta Baba

Globalizimi, emigracioni, kriza e refugjatëve dhe zhvillimi teknologjik kanë kontribuar në krijimin e shoqërive pluraliste. Karakteristikë kryesore e këtyre shoqërive është bashkëjetesa e individëve apo grupeve të traditave të ndryshme fetare. Bashkëjetesa e komuniteteve të ndryshme fetare nuk është një situatë e re në histori. Shumë herë bashkësitë fetare që jetonin në të njëjtën zonë kishin arritur të bashkëjetonin në mënyrë paqësore. Herë të tjera mbizotëronte toleranca dhe u siguruan ekuilibra delikate. Megjithatë, nuk munguan rastet kur dyshimi, fanatizmi dhe dhuna mbizotëruan midis besimtarëve të traditave të ndryshme fetare.

Dialogu ndërfetar ndërmjet përfaqësuesve fetarë ka konsoliduar në nivel institucional nevojën për bashkëjetesë paqësore.

Kisha Orthodhokse merrë pjesë në mënyrë aktive në dialogët ndërfetarë në nivel lokal dhe global. Për më tepër, orthodhoksët jetojnë së bashku në të njëjtën hapësirë ​​me njerëz të feve të tjera për shumë shekuj. Ky punim synon të nxjerrë në pah kushtet theologjike për pjesëmarrjen e Kishës Orthodhokse në dialogun ndërfetar si një formë tjetër dëshmie.

Metodologjia kryesore bazohet në formën e komunikimit njerëzor. Në këtë prezantim theksohet dialogu ndërfetar i jetës dhe veprimit si faktor bazik  kultivues i bashkëjetesës harmonike nëpërmjet dialogut të bashkësive fetare dhe qasjes ndërkulturore. Më pas shqyrtohet se me cilat mënyra faktorët e komunikimit të Kishës Orthodhokse, si predikimi, arsimi dhe edukimi i krishterë, mund të kultivojnë te të krishterët rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor.

Fjalët kyç: dialog ndërfetar, komunikim ndërkulturor, edukim fetar, homiletikë, dëshmi Orthodhokse

Përdorimi i dhomave digjitale të arratisjes në lëndën “Historia e Religjioneve”

Dr. Georgios Gaitanos

Zhvillimi i mjeteve digjitale online në arsim që nga viti 2019 për shkak të pandemisë “COVID-19” i dha shtysë krijimit të gamifikimit si një mjet për ta kuptuar më mirë dhe më aftësisht materialin mësimor. Në këtë kontekst, u zhvilluan me ritëm më intensiv dhomat e arratisjes digjitale. Ky punim do të prezantojë mënyrën si u ndërtua dhoma e arratisjes digjitale për lëndën “Historia e Religjioneve” të Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës, Kolegji Universitar “Logos”. Sondazhi i kryer me studentët e vitit të tretë të studimeve të programit “Bachelor në Theologjinë Sociale dhe Shkencat Religjioze” tregon se dhomat e arratisjes digjitale mund të përdoren si mjet alternativ për vlerësimin e lëndës.

Fjalë kyç: dhomat e arratisjes digjitale, arsimi religjioz, gamifikimi, mendimi kritik, inovacioni arsimor

Simpoziumi i XIII Ndërfetar

Më 20 Maj, Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës do të jetë mikpritës i simpoziumit të 13-të ndërfetar që zhvillohet çdo vit me pjesëmarrjen e Departamenti i Shkencave Islame – Bedër dhe Seminarit Katolik Ndërdioqezan Shqiptar, Shkodër.

📍 Simpoziumi do të zhvillohet në auditorin qendror të Kolegji Universitar Logos në Tiranë.

📌 Tema e simpoziumit është “Njeriu duke vepruar si Zot: çështjet bioetike në shoqërinë moderne” dhe së shpejti do t’ju njohim me programin dhe folësit e konferencës.

Dialogu Ndërfetar

“Dialogu Ndërfetar” është libri i 14-të i botuar nga Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës.

Tematika kryesore e këtij manuali është dialogu ndërfetar dhe rëndësia e tij për bashkëjetesën paqësore të komuniteteve fetare dhe të kulturave që bashkekzistojnë në shoqëritë e globalizuara moderne. Sigurisht, për të kuptuar rëndësinë dhe funksionimin e dialogut ndërfetar, është e nevojshme të argumentohen karakteristikat themelore të dialogut dhe konteksti mbi të cilin mund të funksionojë me sukses dialogu ndërfetar, por, kryesisht, të qartësohet qëllimi i tij. Është e rëndësishme të theksojmë që në fillim se nuk bëhet fjalë për një proces proselitizmi, por, kryesisht, për një proces njohjeje me tjetrin, respekti reciprok dhe bashkëpunimi me tjetrin në probleme dhe çështje kritike sociale, por edhe se parimet dhe virtytet bazë që burojnë nga çdo fe mund të çojnë në një vend të përbashkët bashkëpunimi dhe bashkëjetese harmonike dhe pranimi të tjetrit, duke e çuar shoqërinë drejt mirëqenies.

Në këtë libër, pra, përcaktohet dialogu ndërfetar dhe vendosen parametra të ndryshëm për sa i përket realizimit, kushteve theologjike e shoqërore, qëllimit, llojeve dhe perspektivave. Gjithashtu, paraqiten historikisht iniciativat më të rëndësishme në kuadër të dialogut në Këshillin Botëror të Kishave (KBK) dhe në sinodet e Kishës Orthodhokse dhe Romanokatolike, por edhe në nivel qytetar. Libri përfundon me një dedikim të shkurtër historik për një model bashkëpunimi ndërfetar, në lidhje me rastin e Shqipërisë, e cila, pas peripecisë së Diktaturës komuniste me vendosjen e një regjimi ateist, formoi një kontekst për bashkëjetesë harmonike midis pesë komuniteteve më të mëdha fetare.

Triodi

Periudha e Triodit është periudha kohore e vitit tonë Liturgjik Orthodhoks, që përfshin tri ndarje kohore, atë të ciklit para Kreshmës së Madhe, të vetë Kreshmës së Madhe dhe të Javës së Madhe. Periudha e Triodit fillon të Dielën e 4-t para Kreshmës së Madhe.

Fjala “Triod”, fjalë për fjalë, do të thotë “tri ode”, i referohet një sërë himneve që psalen, por, gjithashtu, vlen për tri ndarje kohore dhe ceremonive përkatëse kremtuese në secilën prej këtyre ndarjeve kohore.

Gjatë kësaj periudhe ndodhin këto që vijojnë:

1. Një libër, që quhet “Triod”, përdoret në shërbesat kishtare. Ka himne dhe lexime të të posaçme që i atribuohen shërbesave. Ky libër përdoret gjatë gjithë periudhës para Kreshmës së Madhe, gjatë gjithë Kreshmës së Madhe dhe gjatë Javës së Madhe, deri në mbrëmjen e së Shtunës së Madhe.

2. Ekziston një shërbesë [liturgji] e veçantë e njohur si “E Shtuna e Shpirtrave” (Të Shtunat e Përkujtimit), gjatë së cilës përkujtojmë të afërmit tanë të vdekur. Dy nga këto shërbesa kryhen gjatë periudhës para Kreshmës së Madhe dhe një tjetër kremtohet të Shtunën e Parë të Kreshmës së Madhe.

3. Secila prej katër të dielave të periudhës para Kreshmës së Madhe, ka tema të veçanta dhe lexime nga Shkrimi i Shenjtë. Këto janë:

Α. E Diela e Doganierit dhe e Fariseut  (Luk. 18:9-14)

Tema është përulësia dhe ruajtja e saktë e mësimdhënieve të Perëndisë, duke vërejtur pa krenari dhe pa i parë të tjerët nga lart. Ne ftohemi të shohim veten ashtu siç jemi në të vërtetë dhe të krahasohemi me mësimdhëniet e Krishtit.

Β. E Diela e Djalit Plagprishës (Luk. 15:11-32)

Tema është kthimi dhe falja ndaj dikujt që ka bërë gabim. Ne nuk duhet ta “ndrydhim” dikë që po përpiqet t’i korrigjojë gabimet e veta. Ne ftohemi të vijmë në vete, siç bëri plangprishësi për të parë nëse edhe ne mund të jemi “larg” shtëpisë së Atit dhe, nëse po, të lëvizim për t’u kthyer.

C. E Diela e të Lidhurit të mishit [Gjykimi i Fundit] (Matth. 25:31-46)

Tema është Gjykimi i Fundit i Krishtit kur të kthehet përsëri në tokë. Çfarë do të ndodhë te njerëzimi dhe çfarë pritet nga njerëzimi. Ftohemi të shohim Krishtin në çdo person dhe t’u shërbejmë atyre që kanë nevojë duke bërë diçka për ta, jo thjesht duke synuar të bëjmë, por duke bërë në të vërtetë diçka, për t’u sjellë atyre përqafimin e Krishtit.

D. E Diela e të Lidhurit të Djathit [Falja, Kreshmimi] (Μatth. 6:14-21)

Tema është falja e të tjerëve, e mëkateve dhe e padrejtësive të tyre. Ripërtëritje personale me njerëzimin (midis nesh), me qëllim që të përgatitemi për ripërtëritjen personale me Zotin gjatë Kreshmës së Madhe. Një temë tjetër është ajo e dëbimit të Adamit nga parajsa. Duhet të identifikohemi me Adamin, duke vajtuar për humbjen e bukurisë, të dinjitetit dhe të kënaqësisë së krijimit tonë fillestar, duke vajtuar për korrupsionin tonë në mëkat.

Etika e Krishterë

“Etika e Krishterë” – Vëllimi i parë, është libri i 12-të i cili i shtohet botimeve të Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës. Ky vëllim është një përkthim nga origjinali i Profesorit të Universitetit Aristoteli të Selanikut G. Mantzaridis, realizuar nga z. Thoma Çomëni. 

Kjo vepër paraqet mendimin bashkëkohor të shkencës së Etikës dhe gërshetimin e mendimi etik të krishterë me gjetjet shkencore të shkencave të tjera. Analizimi i disa koncepteve themelore, parimeve dhe problematikave bashkëkohore është fokusi i librit.

Theology & Culture 7 (December 2023)

This edition is the seventh volume of the Journal “Theology & Culture” (ISSN: 2708-6755), which is the official academic Journal of the Department of Theology & Culture, University College Logos. This academic journal is published two times per year in print and online. Theology & Culture is an international peer-reviewed open access journal dedicated to publishing high-quality research articles in the field of Theology, Study of Religion, Education, Literature, Social Sciences and Religious Tourism.


The journal is hosted to our Flipbook page (click on the icon above) and also has its own Academia (https://independent.academia.edu/AcademicJournalTheologyCulture) and Researchgate (https://www.researchgate.net/profile/Theology_Culture) account and every article is accompanied by a Doi number.


For this seventh volume, we are publishing 7 articles that refer to Christian Ethics, Pastoral Psychology, Psychology, Religious Education, Teaching Practices of Assessment, Old Testament and New Testament heremeneutics, Biblical Archaeology, Patristics, History of Religions, Liturgical Studies. We would like to thank our contributors for this seventh edition and especially As. Lecturer Msc. Thoma Çomëni-“The pain between life and death”, Lecturer Dr. Chrysovalanti I. Papanastasopoulou-“They cut themselves with knives. Mourning rituals for a dying god in the Old Testament”, Professors Dr. Sotirios Despotis & Dr. Thomas Mavromoustakos-“The Riddle Distance of Fifteen Stadia between Jerusalem-Bethany in the Gospel of John”, Lecturer Dr. Georgios Gaitanos-“The use of digital escape rooms in the History of Religions course”, Lecturer Dr. Georgios Keselopoulos-“Walking the Tightrope between History and Theology: The example of Prothesis Rite (8th-15th century)”, Dr. Nikolaos Zarotiadis-“Rabanus Maurus: Fallen Angels in De magicis artibus” and Dr. Ioannis Koutsousimos-“The foundation of self-knowledge”.

The Editorial Board
Dr. Georgios Gaitanos
Dr. Georgios Keselopoulos

Mbrojtja e Shenjtë e Hyjlindëses

(1 tetor)

E kremtja e Mbrojtjes së Shenjtë të Hyjlindëses u caktua pas një vegimi të atit të shenjtë Andrea (shek. V) gjatë Agripnisë në Kishën e Shenjtë të Vllahernës, në Konstandinopojë. Në Orën e Katërt të natës, ndërsa ishte zhytur thellë në lutje, Shenjtori ngriti sytë drejt qiellit dhe pa të Tërëshenjtën Mari që vështronte besimtarët dhe i mbulonte me Velin e saj të shenjtë (maforio).

 Epifani, nxënës i Shën Andreas, i cili gjithashtu u vlerësua i denjë për të parë këtë mrekulli, konfirmoi të vërtetën e vegimit. Atëherë, shenjtori rendi në Hierore, e cila ruhej, hapi Velin e Hyjlindëses dhe, duke qëndruar para Dyerve Mbretërore, e shtriu mbi besimtarët. E mbështetur nga një forcë e padukshme, Veli i shenjtë varej në ajër dhe kishte një madhësi të tillë saqë mbulonte plotësisht kishën e madhe. Në vazhdim, Nëna e Zotit u ngjit në Qiell dhe nuk ishte e dukshme, duke u lënë besimtarëve të krishterë Velin e shenjtë si një premtim i mbrojtjes së saj mirëdashëse.

Shumë herë, Nëna e Zotit dha dëshmi të qarta për mbrojtjen e Qytetit Perandorak dhe, për analogji, të të gjithë Kishës së Shenjtë të Krishtit, që është Jerusalemi i Ri. Në të vërtetë, kudo dhe në çdo moment, Zonja e botës hedh Velin e saj mistikisht mbi të krishterët ndërsa lutet dhe ndërmjeton për shpëtimin e botës te Biri dhe Zoti i saj.

Kisha e Shenjtë Orthodhokse e lavdëron gjithmonë Nënën e Shenjtë të Zotit si Mbrojtëse dhe Ndërmjetësuese të popullit të krishterë, duke kërkuar, me ndërmjetimet dhe lutjet e saj, dashamirësinë e Zotit ndaj neve mëkatarëve. Ndihma e Nënës së Zotit është treguar qartë mjaft herë, për njerëzit në tërësi, por edhe në persona veças, si në paqe ashtu edhe në luftë, si në shkretëtirat monastike ashtu edhe në qytetet plot zhurmë.

Për shkak të kësaj mrekullie të madhe të Nënës së Zotit, kremtojmë një festë të përvitshme falënderimi, duke iu lutur së Tërëshenjtës që të mos pushojë së mbrojturi ne dhe botën me lutjet e saj të forta dhe të shenjta.

Ikona e Mbulesës së Shenjtë tregon festën në të cilën Hyjlindësja qëndron mbi besimtarët e krishterë me duar të shtrira në lutje dhe e veshur me vel. Engjëjt janë në të dyja anët e saj.

Në shumicën e ikonave të shenjta, Shën Andrea dhe nxënësi i tij, Epifani, janë në pjesën e poshtme djathtas. Shën Epifani mban një tunikë nën mantelin e tij dhe duket i mahnitur nga kjo pamje e mrekullueshme. Shën Andrea është i veshur vetëm me një mantel. Më poshtë është një rrotull e hapur me tekstin e himnit, Kontaqios (Shkurtores) së Lindjes së Krishtit për nder të Hyjlindëses. Rrotullën e mban Shën Roman Melodi, himnograf i famshëm, festa e të cilit festohet më 1 tetor. Me të është kori i tij, si edhe perandori Leoni i Urti, perandoresha dhe patriarku i Kostandinopojës.

Kremtimi i Mbulesës së Shenjtë daton në vitin 626 pas Krishtit, kur ndërhyrja e mrekullueshme e Hyjlindëses shpëtoi qytetin e Kostandinopojës nga avarët dhe u vendos zyrtarisht se data 1 tetor është data e nderimit të kësaj mrekullie të madhe.

Ekspozitë fotografike mbi Turizmin Religjioz

Departamenti i Theologjisë dhe Kulturës si dhe Forumi i Turizmit Religjioz të Kolegjit Universitar LOGOS organizon në datën 27 shtator ora 14:00 një ekspozitë fotografike kushtuar Turizmit Religjioz në kuadër të Ditës Botërore të Turizmit. Ekspozita përfshin fotografi të realizuara nga studentët e diplomuar dhe aktualë të programit pasuniversitar në Turizëm Religjioz.

Vendet fetare janë fotografuar në mjedisin e tyre natyror në momente të ndryshme të ditës, por edhe momente nga prania e turistëve apo pelegrinëve në destinacione të ndryshme pelegrinazhi.

Realizimi i Ekspozitës është pjesë e Javës së Turizmit Religjioz e cila organizohet nga Kolegji Universitar LOGOS dhe Forumi i Turizmit Religjioz çdo vit dhe do të jetë e hapur për publikun në hollin e Universitetit nga data 27 shtator deri më 14 tetor.

Design a site like this with WordPress.com
Fillojani