1 Dita e Studiuesit

Kemi kënaqësinë të njoftojmë organizimin e aktivitetit vjetor “Dita e Studiuesit” të Departamentit të Teologjisë dhe Kulturës, Kolegji Universitar Logos. Kjo është një festë e kërkimimit, pasi pedagogë, të diplomuar dhe studentë të Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës takohen së bashku dhe prezantojnë publikisht para kolegëve të tyre kërkimin që po zhvillohet aktualisht në Departament.

📍Dita e Kërkuesit 1 (një) do të mbahet në auditorin qendror të Logos së Kolegjit të Universitetit në Tiranë më 21 maj në orën 10:00. Programi dhe folësit do të njoftohen së shpejti.

Jeni të gjithë të mirëpritur të festoni kërkimin me ne!

Abstrakte

PUNIMET E STUDENTËVE DHE TË DIPLOMUARVE

Ikonografia e Onufër Neokastritit në Zonën e Shpatit

MSc. Klajdi Dervishi

Tema që kam zgjedhur për të trajtuar, titullohet “Ikonografia e Onufër Neokastritit në Zonën e Shpatit”. Qëllimi kryesor i këtij punimi shkencor është promovimi, njohja dhe transmetimi i karakteristikave dhe i atyre gjërave që e karakterizojnë Zonën e Shpatit. Kjo temë do të prezantohet në dy dimensione: në dimensionin analizues (historiko-theologjik), ku do të trajtohet historiku i zonës dhe i kishave të ndërthurura me theologjinë orthodhokse, dhe në dimensionin përshkrues, ku do të përshkruhet programi ikonografik i kishave përkatëse. Tema përbëhet nga katër kapituj.

Në kapitullin e parë përshkruhet historiku i zonës së Shpatit, e cila i ka fillesat e saj që nga koha e Konstandinit të Madh, trajtohet fenomeni i kriptokrishterimit dhe përfundon me potencialin dhe me një plan zhvillimi për një turizëm të qëndrueshëm në këtë zonë.

Në kapitullin e dytë trajtohet jeta, vepra dhe stili i ikonografit Onufër, i cili ishte me origjinë nga Neokastra ose ndryshe Elbasani i sotëm dhe ka jetuar në shek. XVI dhe që, në këtë periudhë, e ka ushtruar veprimtarinë e tij në pikturimin e disa kishave, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shquhet për një stil unik, por që është ndikuar edhe nga stili bizantin dhe e ka përsosur teknikën ikonografike kretase.

Në kapitullin e tretë trajtohet kisha e Shën Kollit në Shelcan, ku janë renditur dhe komentuar mbishkrimet apo edhe afresket e shenjtorëve apo të skenave biblike që janë paraqitur në pjesë të ndryshme të kësaj kishe.

Në kapitullin e katërt trajtohet kisha e Shën e Premtes në Valësh, në të cilën, ashtu si edhe në kishën e Shën Kollit, ekzistojnë afreske dhe mbishkrime që kanë ardhur deri në ditët e sotme nga dora e Onufrit dhe përmbyllet me nxjerrjen në pah të dy dogmave kryesore që përcjell ikonografia e kishave.

Fjalë kyç: Ikonografia, Onufër Neokastriti, Kishat e Shpatit, itinerar, mbishkrim.

Rruga e Sikhëve drejt pavarësisë fetare

Kristijan Mishevski

Tema që do të trajtojmë në këtë artikull ka të bëjë me Sikhët. Sikhët janë ndjekës së religjionit Sikhism dhe origjina e tyre është rajoni Panxhab të Indisë. Brenda kësaj teme do flasim për themelimin e tyre, konceptin e udhëheqësit të tyre (Guru-ja), renditja e Guru-ve, luftrat me Britanikët dhe mënyra e sjelljes së tyre nën pushtimin europian.

Në fund do të përmendet përhapja e tyre nëpër gjithë botën dhe mbijetimi i tyre deri më sot. Gjithashtu do të përshkruajmë disa nga simbolet e tyre dhe do të përmendim fakte interesante që kanë të bëjnë me lidhjen e të kaluarës dhe atë të sotmen.

Fjalë kyçe: Sikhism, sikh, kaur, guru, adi, lufta Britano-indiane

Tradita e Jetës Murgjërore Orthodhokse në Shqipëri

Çenkuela Selenica

Tema që kam përzgjedhur për të trajtuar, titullohet “Tradita  e Jetës Murgjërore Orthodhokse në Shqipëri”. Qëllimi kryesor i këtij punimi shkencor është  që të bëj të njohur aq sa të na lejojnë të dhënat kultivimin e jetës murgjërore përgjatë shekujve kristianë në hapesirën e Shqipërisë së sotme. Tema do të paraqesë qëllimin dhe rëndësinë e monasticizimit, do të njoh lexuesit nga afër me murgjërinë dhe manastiret.

 Metodologjia e përdorur në këtë punim është përshkruese dhe analizuese. Gjithashtu është  përdorur analiza teologjike duke shfrytëzuar bibliografi relevante, të dhënat e së cilës vihen në funksion të kësaj metodologjie.

Tema përbëhet nga katër kapituj. Në kapitullin e parë trajtohet koncepti i monasticizmit, fillimet e jetës murgjërore në botë dhe në vendin tonë. Murgjëria e paorganizuar dhe më vonë ajo e organizuar.

Në kapitullin e dytë përshkruhen dhe jepen të dhëna kryesore për disa manastire orthodhokse. Trajtohet dimensioni arkitekturor, ikonografik dhe metafizik i manastireve.

Në kapitullin e tretë trajtohen funksionet e manastireve në periudhën pasbizantine, por jo vetëm. Përmenden murgjër dhe personalitete të cilët kanë jetuar dhe punuar në manastire, gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Në kapitullin e katërt trajtohen elementë të jetës shpirtërore dhe shoqërore të manastireve. Përshkruhen disa panaire që zhvilloheshin pranë manastireve. Gjithashtu flitet për veprimtarinë e KOASH-it në restaurimin e manastireve në vendin tonë.

Fjalë kyç: Shpella Eremite, Monasticizëm, Rrënoja, Dimension Metafizik, Panair, Esnaf.

Lutja, jeta e shpirtit

Anila Baba

Tema synon të shpjegojë kuptimin e lutjes, si ushtrimi dhe puna më i rëndësishme dhe shumë thelbësorë në jetën e njeriut, jo vetëm në atë shpirtërore por edhe në përditshmërinë e tij në raporte me veten, te tjerët dhe çdo gjë që e rrethon.  Domosdoshmëria e aktivitetit të lutjes shpjegohet në bazë të Shkrimit të shenjtë dhe mësimeve të shenjtorëve të Kishës sonë përgjatë shekujve.

Jo vetëm aktivitet thelbësor, por lutja është jeta e shpirtit dhe aktiviteti që gjallëron çdo aktivitet tjetër të njeriut, e mbi të gjitha e bashkon me Krijuesin në mënyrë mistike. Në mënyrë praktike do të jepen udhëzime për nivelet e lutjes të cilat e përgatitin njeriun që nga hapi i parë kur thjesht themi lutje, tek i dyti kur themi e mendojmë fjalët e lutjes tek niveli më i lartë ku trupi, mendja e zemra bashkohen në lutje. Ky nivel arrin qëllimin e kërkuar të bashkimit të njeriut me Zotin, d.m.th. jetën e shpirtit dhe përmbushjen e qenies njerëzore, sepse njeriu nuk është tjesht “Homo sapiens“, “homo Faber“… po, para së gjithash, “homo adorans”.

Fjalë kyç: Lutja, jeta, homo adorans

Familja e Krishterë Orthodhokse dhe rritja e fëmijëve

Jonilda Stojko

Punimi hulumton aspektet e jetës familjare brenda traditës së Krishterë Orthodhokse, duke i vënë një theks të veçantë rolit dhe rëndësisë së familjes, si “kisha e vogël”. I ndarë në pesë seksione, punimi shpalos rëndësinë themelore të familjes, njësisë më të vogël të shoqërisë.

Ai thellohet në ndikimin që marim nga studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe jetëve të Shenjtorëve, për të ndërtuar një martesë dhe një familje të shëndetshme ku mbizotëron dashuria dhe lidhja e ngushtë me Perëndinë.  Strategjitë për rritjen e fëmijëve dhe proçesi i rritjes së fëmijëve drejt Mbretërisë së Perëndisë analizohen në punim, si edhe familja “punishtja që rrit shenjorë”. Theksohet përfshirja aktive e fëmijëve brenda komunitetit më të madh të Kishës, gjithashtu mësimet e vyera të Kishës Orthodhokse që nxitin për një jetë familjare bashkëkohore të rrënjosur thellë në Krishtin dhe Kishën e Tij të Shenjtë.

Fjalë kyç: Familja, Edukatë e krishterë

PUNIMET E LEKTORËVE

Disa aspekte sociale dhe etike mbi varfërinë në shoqërinë shqiptare

MSc. Thoma Çomëni

Varfëria është një nga fenomenet më të mprehta sociale në shoqërinë shqiptare, që ka shkaqet dhe pasojat e saj. Pas një hyrje mbi konceptin e varfërisë, bëhet një prezantim i situatës së varfërisë në shoqërinë shqiptare. Më pas bëhen analiza mbi shkaqet dhe pasojat e fenomenit të varfërisë duke aplikuar një qasje sociale dhe etike. U përdorën materiale kërkimore, kryesisht nga Instituti i Statistikave të Shqipërisë, si dhe studime të autorëve të tjerë, të cilët trajtuan drejtpërdrejt problemin e varfërisë në shoqëri. Studiues të ndryshëm që janë marrë me fenomenin e varfërisë në një këndvështrim të përgjithshëm nuk mbeten jashtë vëmendjes. Bibliografia e shtrirë në kohë, veçanërisht në këto 30 vitet e fundit, sjell këndvështrime dhe qëndrime të ndryshme për varfërinë, por që përkojnë në faktin se varfëria është vazhdimisht në nivele të larta në shoqërinë shqiptare.

Nga analiza e burimeve rezulton se varfëria në shoqërinë shqiptare është një fenomen social, i cili përveç dimensionit ekonomik, material dhe financiar, ka edhe një dimension social dhe mbi të gjitha shpirtëror. Dhe ky konstatim bazohet në faktin se si shihet dhe çfarë zgjidhjesh jepen për tejkalimin e varfërisë. Investimet apo kontributi i një niveli të ulët nga ana e shtetit për tejkalimin e varfërisë nga njëra anë dhe iniciativat jo qeveritare, individuale apo të organizuara, nga ana tjetër, me ndihma dhe vakte ushqimore dhe jo vetëm, nxjerrin në pah qëndrimin ndaj varfërisë. Investimet e pakta në arsim, trajnim dhe formim profesional, investime ekonomike që nuk përkthehen në vende pune duke i dhënë hapësirë papunësisë, tendenca në rritje për emigracionin dhe emigracionin, varësia nga bamirësia dhe lëmosha, janë disa elementë që e bëjnë të qartë fenomenin dhe përballjen me të. Lufta kundër varfërisë në shoqërinë shqiptare duhet të bazohet në të drejtën ligjore dhe mbi të gjitha të drejtën dhe mundësinë për të jetuar me dinjitet dhe kjo është drejtësi shoqërore dhe shpirtërore. Korrupsioni në nivele të larta dhe paragjykimi social për varfërinë bëhen pengesa kryesore për të luftuar varfërinë. Kështu, arrihet në konkluzionin se varfëria luftohet me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve shoqërorë, pasi që varfëria në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prek të gjithë shoqërinë.

Fjalë kyçe: Varfëria, drejtësia sociale, shoqëria shqiptare, zhvillimi social, zhvillimi shpirtëror, zhvillimi ekonomik

Lipsanologjia në Shqipëri

Dr. Thoma Shkira

Punimi ka si qëllim të paraqesë lipsanologjinë e shenjtorëve të krishterë në Shqipëri duke përfshirë rastet e lipsaneve të shenjtorëve të cilat pothuajse janë ruajtur të plota dhe lidhen me shenjtorë që kanë zhvilluar aktivitet apostolik dhe kryesisht janë martirizuar në vendin tonë.

Në të shqyrtohet historiku i lipsaneve të shenjtorëve përgjatë periudhave të ndryshme historike dhe kishtare të vendit tonë, ruajtja dhe nderimi i tyre në kisha dhe manastire të njohura, gjendja e tyre e rrezikut apo e shpetimit gjatë valës ateiste të vitit 1967, vit ku u ndaluan besimi dhe praktikat fetare.  

Gjithashtu, punimi synon të nxjerrë në pah vlerën e tyre shpirtërore, dhe rëndësinë e tyre si objekte ku populli besimtar realizoi dhe realizon mbledhje kremtuese dhe panaire fetare dhe tregtare në nderim të tyre. Vitet e fundit në Shqipëri, ndaj lipsaneve të shenjta kthejnë vëmendjen dhe tërheqin shumë vizitorë dhe turistë vendas dhe të huaj aq sa lipsanet, konsiderohen tashmë edhe ndër objektet kryesore të turizmit religjioz.

Në këtë punim përdoret metodologjia historiko – teologjike nëpërmjet hulumtimit të bibliografisë përkatëse.

Fjalë kyç: Historiku i lipsaneve në Shqipëri, nderimi i shenjtorëve (kulti), panair,  komunizëm, turizëm religjioz, Shqipëri

Duke jetuar së bashku në një botë pluraliste. Shfaqja e rëndësisë së dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor nëpërmjet predikimit dhe edukimit në Kishën Orthodhokse

Dr. Nikolaos Tsirevelos & MSc. Blerta Baba

Globalizimi, emigracioni, kriza e refugjatëve dhe zhvillimi teknologjik kanë kontribuar në krijimin e shoqërive pluraliste. Karakteristikë kryesore e këtyre shoqërive është bashkëjetesa e individëve apo grupeve të traditave të ndryshme fetare. Bashkëjetesa e komuniteteve të ndryshme fetare nuk është një situatë e re në histori. Shumë herë bashkësitë fetare që jetonin në të njëjtën zonë kishin arritur të bashkëjetonin në mënyrë paqësore. Herë të tjera mbizotëronte toleranca dhe u siguruan ekuilibra delikate. Megjithatë, nuk munguan rastet kur dyshimi, fanatizmi dhe dhuna mbizotëruan midis besimtarëve të traditave të ndryshme fetare.

Dialogu ndërfetar ndërmjet përfaqësuesve fetarë ka konsoliduar në nivel institucional nevojën për bashkëjetesë paqësore.

Kisha Orthodhokse merrë pjesë në mënyrë aktive në dialogët ndërfetarë në nivel lokal dhe global. Për më tepër, orthodhoksët jetojnë së bashku në të njëjtën hapësirë ​​me njerëz të feve të tjera për shumë shekuj. Ky punim synon të nxjerrë në pah kushtet theologjike për pjesëmarrjen e Kishës Orthodhokse në dialogun ndërfetar si një formë tjetër dëshmie.

Metodologjia kryesore bazohet në formën e komunikimit njerëzor. Në këtë prezantim theksohet dialogu ndërfetar i jetës dhe veprimit si faktor bazik  kultivues i bashkëjetesës harmonike nëpërmjet dialogut të bashkësive fetare dhe qasjes ndërkulturore. Më pas shqyrtohet se me cilat mënyra faktorët e komunikimit të Kishës Orthodhokse, si predikimi, arsimi dhe edukimi i krishterë, mund të kultivojnë te të krishterët rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe ndërkulturor.

Fjalët kyç: dialog ndërfetar, komunikim ndërkulturor, edukim fetar, homiletikë, dëshmi Orthodhokse

Përdorimi i dhomave digjitale të arratisjes në lëndën “Historia e Religjioneve”

Dr. Georgios Gaitanos

Zhvillimi i mjeteve digjitale online në arsim që nga viti 2019 për shkak të pandemisë “COVID-19” i dha shtysë krijimit të gamifikimit si një mjet për ta kuptuar më mirë dhe më aftësisht materialin mësimor. Në këtë kontekst, u zhvilluan me ritëm më intensiv dhomat e arratisjes digjitale. Ky punim do të prezantojë mënyrën si u ndërtua dhoma e arratisjes digjitale për lëndën “Historia e Religjioneve” të Departamentit të Theologjisë dhe Kulturës, Kolegji Universitar “Logos”. Sondazhi i kryer me studentët e vitit të tretë të studimeve të programit “Bachelor në Theologjinë Sociale dhe Shkencat Religjioze” tregon se dhomat e arratisjes digjitale mund të përdoren si mjet alternativ për vlerësimin e lëndës.

Fjalë kyç: dhomat e arratisjes digjitale, arsimi religjioz, gamifikimi, mendimi kritik, inovacioni arsimor

Lini një koment

Design a site like this with WordPress.com
Fillojani