Cikli i dytë-Master i Shkencave

Kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që: 

a) kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit, dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, ose; 

b) janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA-së brenda muajit të përcaktuar në shtojcën nr. 10, të këtij udhëzimi. 

Dokumentet e regjistrimit :  

Kandidati paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm: 

a) Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës; 

b) diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar”, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose fotokopje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave; 

c) formularin e aplikimit, sipas formatit të shtojcës nr. 5, të këtij udhëzimi; 

d) fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë); 

e) dy fotografi personale. 

f) certifikata e gjuhës se huaj 

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj: 

a) dëshmi e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. 

Shtetasit e huaj që aplikojnë në bazë të marrëveshjeve dypalëshe përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse; 

b) Curriculum Vitae; 

c) deklaratën sipas shtojcës nr.4, të këtij udhëzimi. 

Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta: 

a) kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuar duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së të verbrit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të KMCAP-së; 

b) kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror; 

c) kandidati rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian 

Design a site like this with WordPress.com
Fillojani